Calendar Economic

Real Time Economic Calendar provided by Investing.com.

Saturday, July 11, 2015

Një Periudhe e Erret

Çdo periudhë kohore gjatë së cilës është lëkundur apo lëkundet besimi monoteist, është koha kur sundon errësira. Nëse besimi te Zoti që është drita e qiejve dhe e tokës, nuk sundon në të gjitha zemrat, errësira i nxin e i bën sterrë të zeza ndërgjegjet dhe shpirtrat. Meqë cilësia e vështrimit të sendeve dhe dukurive nga ana e një zemre dhe ndërgjegjeje të tillë do të jetë miope dhe e turbullt, njeriu do të jetojë krejt si lakuriqët e natës në një natë krejt të errët.

Në një periudhë kur të gjitha parimet fetare qenë lëkundur nga themeli dhe kur fetë qiellore qenë korrigjuar nga vetë anëtarët e tyre, ndoshta disa monoteistë i besonin një Zoti që nuk e emërtonin dot, që nuk e njihnin dot e, që, për rrjedhojë, nuk kryenin adhurime në rrugën e Tij; zërat e tyre ishin aq të dobët sa nuk tërhiqnin vëmendjen e askujt.

Idhujtaria në periudhën e injorancës

Të gjithë politeistët krenoheshin dhe gjenin prehje në adhurimin e idhujve me të cilët kishin mbushur Qaben. Kurse ata vetë mes tyre që kishin pak njohuri, thoshin se idhujt i pranonin vetëm si ndërmjetës që i afronin ata te Zoti. Në një ajet-argument të Kur'anit kjo specifikë pohohet kështu: "Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më shumë tek Allahu." (Kur'ani, Zumer: 3). Kështu, ndjenja e adhurimit e dedikuar si një amanet i rëndësishëm krijimit të njeriut, edhe një herë tjetër shpërdorohej, edhe një herë tjetër tradhëtohej! Njerëzit adhuronin drurin, gurin, tokën, diellin, hënën dhe yjet, madje, u kushtoheshin një copë herë idhujve që i kishin bërë me duart e veta prej gjërave të ngrënshme si prej hallve dhe djathi dhe pastaj, pasi i kapte uria, u hynin e i hanin.

Këtë mendim arkaik e këtë botëkuptim të tejkaluar Kur'ani e trajton në këtë mënyrë: "Ata lënë Allahun e jepen pas gjërave nga të cilat nuk kanë as dëm e as dobi dhe thonë:"Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu." Thuaju: "Mos vallë ju i tregoni Allahut për ndonjë gjë që mund të mos e dijë Ai në tokë e në qiej? Hasha, mos qoftë e thënë! Ai është i lartë e s'ka të bëjë me gjërat me të cilat ata e barazojnë!" (Kur'ani, Junus: 18).

Si dhe: "Kujdes! Feja e vërtetë është vetëm feja e Allahut. Ata që e lënë Atë dhe zënë miq të tjerë, thonë: "Ne i adhurojmë ata për të na afruar më shumë te Allahu. S'ka dyshim se Allahu do të gjykojë për kontradiktën e tyre. Pa dyshim, Allahu nuk i orienton në udhë të drejtë mohuesit dhe gënjeshtarët!" (Kur'ani, Zumer: 3).

Përveç kësaj, ata kërkonin edhe justifikim për këtë gjë. Justifikimi më i madh i tyre qe se kështu kishin pasë vepruar edhe etërit e tyre: "Kur politeistëve u thuhet që ta pranojnë revelacionin e Allahut, ata përgjigjen: "Jo, ne shkojmë pas traditës së etërve tanë!" Mos vallë edhe nëse etërit e tyre s'kanë kuptuar asgjë e s'e kanë gjetur të vërtetën?" (Kur'ani, Bakara: 170).

Drama e vajzave të vogla

Një të keqe tjetër të periudhës së injorancës Kur'ani e tregon kështu: "Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet se i ka lindur vajzë, i nxihet fytyra e mbushet plot mllef. Kërkon të fshihet për shkak të asaj të keqeje që e ka gjetur. Pastaj mendon nëse duhet ta mbajë fëmijën duke pranuar turpin, apo ta mbulojë të gjallë në dhe. Ç'gjykim i keq e i mbrapshtë!" (Kur'ani, Nahl: 58-59). Po, kur ndonjërit prej tyre i lindte vajzë, mbushej plot mllef dhe hante veten nga marazi për këtë ngjarje që, sipas tyre, ishte një ndëshkim dhe jo dhuratë prej Zotit. Prandaj edhe përpiqej të mos dilte në sy të njerëzve. Ndërkaq, përpiqej të vendoste: ose do ta mbante fëmijën duke pranuar turpin, ose do ta varroste të gjallë atë duke pastruar (!), kështu, nderin e vet.

Ja, pra, kështu poshtërohej femra në kohën e injorancës dhe ky nënvleftësim, kjo përbuzje e ky poshtërim nuk ishte diçka specifike vetëm për arabët e asaj periudhe. Gjendja ishte po ajo edhe në perandoritë romake dhe sasanite. Duke u nisur nga kjo, mund të thuhet se transformimi i jashtëzakonshëm që kreu Islami midis arabëve në lidhje me botën femërore, ishte një operacion i pashembullt në historinë e njerëzimit në emër të saj.

Po, është Kur'ani që i del për herë të parë përballë kësaj egërsie dhe e ndalon vrasjen e vajzave të vogla për çfarëdo shkaku dhe në çfarëdo kushtesh: "Thuaj: "Ejani t'ju lexoj ato që me të vërtetë jua ndaloi Zoti juaj: ...të mos i mbytni fëmijët për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë edhe juve, edhe ata..." (Kur'ani, En'am: 151).

Sikur Zoti u thoshte: Pse i vrisni fëmijët? Pjesën tuaj të të mirave Unë jua siguroj. A nuk e shihni se toka e pasur si mijëra sofra ju jepet nën urdhrin tuaj? Qielli ju vrapon në ndihmë. Kush mund të jetë përveç Meje ai që për ju sjell retë, lëshon shi e borë dhe bën që të mbijnë miliona bimë? Kur i shihni të gjitha këto, me ç'ndërgjegje dhe me ç'mendje ju kap frika e jetesës dhe i vrisni fëmijët? Por mos harroni: ata që veprojnë kështu, kurrë s'do të meritojnë të bisedojnë me Zotin e tyre, ndërsa ata fëmijët e pafajshëm një ditë do të pranohen para Zotit dhe do të pyeten se për çfarë zakoni i vranë dhe fëmijëvrasësit do të marrin pa tjetër ndëshkimin e krimit të tyre! Ajeti-argument i mëposhtëm na tregon neve moralin e asaj periudhe në tërë tmerrin e vet: "Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura gjallë se për çfarë mëkati janë vrarë, ..." (Kur'ani, Tekvir: 8-9).

Një ditë, një prej sahabeve, pasuesve të Profetit, pati treguar në këtë mënyrë në praninë e tij për egërsinë e periudhës së injorancës: "O i Dërguari i Allahut! Në kohën e injorancës ne i groposnim të gjalla vajzat. Edhe unë kam pasur një vajzë të vogël. Një ditë i thashë s'ëmës: "Vishe vajzën se do ta çoj te daja i saj." (Gruaja e dinte se ç'do të thoshte kjo: pas pak, fëmija i saj, pjesë e mishit dhe e gjakut të saj, do të hidhej në një gropë dhe do të përpëlitej nën dhe gjersa të jepte shpirt. Por ç'e do se gruaja në atë kohë s'kishte asnjë lloj të drejte dhe mundësie për t'i dalë përpara kësaj egërsie; ajo vetëm mund të derdhte lot!) Gruaja bëri siç i thashë. Fëmija kujtonte se me të vërtetë do të shkonte te daja dhe përgatitej e gëzuar. E mora për dore dhe e çova në buzë të gropës që e pata hapur që më parë. I thashë të shihte në gropë. Sapo zgjati kokën për të parë, i dhashë një shqelm dhe e shtyva brenda. Sidoqoftë, arriti të kapej në buzë të gropës. Edhe përpiqej të dilte, edhe më thoshte se më ishte bërë rroba me pluhur të cilin përpiqej ta shkundte. Megjithatë, i dhashë një shqelm tjetër dhe e mbulova të gjallë nën dhe!"

Ndërsa burri tregonte, i Dërguari i Allahut dhe të pranishmit qanin me ngashërim. Njëri prej tyre tha: "O njeri, e hidhërove të Dërguarin e Allahut!" Kurse Profeti i tha burrit: "Tregoje edhe një herë!" Burri e tregoi edhe një herë ngjarjen. Lotët e syve të Profetit të të dy botëve i rridhnin nëpër mjekër e poshtë.(12) Me këtë përsëritje, Profeti sikur donte të theksonte: "Ja, pra, kështu ishit ju para Islamit! Kërkova të përsëritej tregimi që të kujtonit edhe një herë tjetër vetëdijen e të qenit njeri që ju përftoi Islami!"

Siç u pa nga kjo ngjarje e hidhur, atë ditë njerëzimi kalonte një krizë të rëndë. Çdo natë, në errësirën e shkretëtirës hapeshin gropa të thella dhe, në atmosferën e një mijë e një klithjeve zemërçjerrëse, vajza të vogla të pafajshme jepnin shpirt të mbuluara nën dhe. Për nga egërsia, njerëzimi i kishte lënë prapa edhe çakajtë. Ai që s'kishte dhëmbë, nuk kishte të drejtë jete dhe ishte i dënuar pa shpëtim të copëtohej mes dhëmbëve të atij që kishte. Shoqëria jetonte në kllapi, ndërsa s'kishte kush t'i thoshte "mjaft!" asaj kllapie!

Pikërisht në ato ditë, Ai që ishte shkaku i krijimit të qenies, ndahej nga njerëzit dhe tërhiqej në malin Hira që do t'i thoshte "Mali i Dritës" dhe sytë i prisnin agimet shpëtimtare në horizont. Gjithsesi, në ato orë pritjeje, vinte ballin në sexhde, lutej pa pushim dhe i kërkonte Zotit të vet një shpëtimtar për njerëzimin! Në përshkrimet e Buhariut e të Myslimit përdoren shprehje që tregojnë pikërisht për adhurim. Disa herë i Dërguari i Allahut nuk kthehej në Mekë, por rrinte aty gjersa t'i mbarohej ushqimi. Pastaj kthehej, merrte ushqim dhe vinte përsëri në mal.(13)

Gjithsesi, Ai, nga njëra anë mendonte për qenien, për "paskuintën" e saj, për krijimin dhe qëllimin e krijimit dhe, nga ana tjetër, për njeriun që kish dalë nga drejtpeshimi, për hallin e tij që të shtinte drithmat dhe për vuajtjen e tij zemërpërvëluese...

Vlera që ndërrojnë

Po shoqëria ishte mbërthyer nga një gjendje e tillë që të gjitha vlerat njerëzore ishin kthyer përmbys, virtytet kishin filluar të konsideroheshin turpe, kurse turpet, virtyte. Egërsia duartrokitej, ndërsa ndjenja njerëzore përbuzej. Ujqit, të bërë çobenj, bënin demonstrim force, kurse delet rënkonin në duart e atyre çobenjve të pamëshirshëm. Në mënyrë të tillë ishin përhapur prostitucioni, adulteri dhe imoraliteti, saqë shumica edhe të atin nuk e njihnin. Soji dhe fisnikëria kishin tharë e ishin zhdukur. Pijet dhe kumari nuk ishin apsak ndër gjërat e konsideruara turp. Matrapazllëku vlerësohej si një dukuri normale dhe thithja e gjakut të njerëzve me lloj-lloj spekulimesh konsiderohej si mjeshtëri dhe mençuri.

Ja, pra, ndihej nevoja e një fjale me fuqi eliksiri që t'u thoshte "ndal!" këtyre dukurive. Kjo nevojë ishte aq e fuqishme, saqë shpërtheu menjëherë Mëshira dhe po aty u bë preteksti i dërgimit të detyrës profetike Profetit të profetëve dhe, me ardhjen e tij, çdo gjë ndërroi aty për aty. Siç ka thënë edhe poeti i madh Ahmed Shevkiu, "Lindi drejtësia/ Plot dritë u mbush gjithësia/Në buzët e kohës tani/ buzëqeshje ka dhe krenari."(14)

Koha dhe hapësira që ishin errësirë, me dritën e sjellë nga Hz. Muhammedi u shndërruan menjëherë në një tufë trëndafilash që buzëqeshin. Vite më pas, me rastin e hixhretit, populli i Medinës do ta priste Atë me thirrje që ishin shprehje pikërisht të një realiteti dhe ndjenjash të tilla.
(12) Darimi: Mukaddime, 1.
(13) Buhari, Bed'u'l-Vahj, 3; Myslim, Iman, 252.
(14) Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/241.

Tuesday, July 7, 2015

Prova teknike të komunikimit



Përgjigjet që marrim janë pasojë e mesazheve që dërgojmë. Për këtë duhet të vlerësojmë gjestet, tonin, fjalët.
Mr. sci. Bekri Metaj
Një marrëdhënie qarkulluese
Përgjigjet që marrim janë rezultat i tipit të mesazhit që dërgojmë. Komunikimi është gjithmonë një marrëdhënie qarkulluese. Problemi është që në pjesën më të madhe të rasteve ne mendojmë se jemi të qartë dhe habitemi kur të tjerët nuk komunikojnë me ne në mënyrë po aq të qartë. Pyesim veten për përgjigjet e tyre, nevrikosemi sepse nuk arrijmë të kuptojmë, por as nuk na vjen fare në mend dyshimi, që ato fjalë nuk janë gjë tjetër vetëm përgjigjet e atyre që kemi thënë ne.
Në mendje ne e kemi të qartë atë që duam të themi, por në momentin kur përkthejmë mesazhin tonë në fjalë të thëna në një mënyrë të shoqëruar me gjeste (që ndoshta nuk kanë të bëjnë fare me mesazhin) ajo deformohet. Personi tjetër interpreton dhe përgjigjet në bazë të interpretimit tënd. Studiuesit kanë vënë re që interpretimi i një mesazhi mbulohet 55% nga lëvizjet e trupit, 38% nga gjuha (pra nga toni i zërit), 7% nga komunikimi verbal ashtu siç është (d.m.th në bazë të fjalëve që thuhen). Për këtë duhet të dish kush janë me të vërtetë elementet për t'u mbajtur nën kontroll, ndoshta dhe duke parë shumë biseda tonat.


Një veturë ka ndaluar në semafor. Është një grua në timon. Burri që është ulur në anën e pasagjerit po e vështron: "Shiko se është e gjelbra!" dhe gruaja i përgjigjet: "Po i jap unë veturës, apo po i jep ti?". Ky shkëmbim i shkurtër batutash mund të jetë një domethënie për të kuptuar diçka mbi komunikimin dhe mesazheve që jep një përgjigje e thjeshtë.
Së pari jepet një mesazh përcaktues: semafori është në të gjelbrën. Por na jep dhe disa informacione për dërguesin, pra për atë që thotë mesazhin; dallon ngjyrat, është i kujdesshëm dhe për më shumë thotë edhe diçka mbi opinionin që ka për pritësin, toni është më i lartë kur thotë frazat, tregon se nuk ka shumë besim tek aftësia e gruas që po i jep veturës. Të gjitha këto shqyrtime dalin në pah duke analizuar një batutë të thjeshtë.
Secili nga ne është mësuar të deshifrojë në këtë mënyrë, në shumë pak sekonda, çdo mesazh që merr. Por kjo nuk do të thotë që, interpretimi është gjithmonë i drejtë. Pikërisht sepse mesazhet që vijnë janë më shumë se një: sinjalet për t'u vënë re, shumohen (fjalët, por dhe toni i zërit dhe gjestet që e shoqërojnë, mendimi i atij që e thotë), dhe tundimi për të dhënë konkluzionet është e parezistueshme (gruaja mendon se burri nuk ka besim në mënyrën se si ajo i jep veturës). Për të gjitha këto arsye, shpesh komunikimi ynë nuk është i qartë siç duam. Dhe për këtë ja vlen të dish disa rregulla, që të lejojnë të vështrosh e të dëgjosh korrektësisht e pastaj të shprehesh më mirë.
Një trup në harmoni
55% e komunikimit tonë është jo verbale d.m.th vjen nga lëvizjet e trupit. Për këtë arsye duhet të dimë të kontrollojmë, ose më mirë akoma të jetojmë në harmoni. Çdo bisedë është më përfituese nëse i komunikon tjetrit një sensacion ekuilibri, qetësie dhe mirëqenieje. Nëse e kupton mund t'i drejtohesh shumë teknikave të shlodhjes dhe ushtrimeve të frymëmarrjes. Nuk është në fakt e domosdoshme të studiosh gjuhën e trupit.
Të dish që krahët e kryqëzuara në gjoks tregojnë mbyllje ose duke përkëdhelur flokët i tregon tjetrit joshjen, nuk është gjithmonë e lehtë për t'u komunikuar. Ndodh që ndonjëherë të çon dhe në nënkuptime. Duart e kryqëzuara p.sh mund të jenë një pengesë por, dhe mënyra që bashkëfolësi ynë adopton për të tërhequr vëmendjen (e në këtë rast mesazhi që jepet është i kundërt).
TË VËSHTROSH & TË DËGJOSH
Rregulla e parë për të kuptuar dhe për të qenë i kuptuar, është që të kesh harmoni dhe të mësosh të vështrosh tjetrin duke vënë në funksion vëzhgimin dhe dëgjimin. Duhet të mësosh të shikosh bashkëfolësin se çfarë pamje ka, çfarë pozicioni zë (mund të dëgjosh me vëmendje pa paragjykime, të dallosh çfarë fjalësh përdor më shpesh, me çfarë toni e bën bisedën). Dhe kjo nuk do të thotë të shprehësh një paragjykim. Vëzhgimi duhet të jetë i distancuar nga përshtypja.
E nëse nuk arrijmë të nxjerrim konkluzionin (p.sh personi po na flet me një ton të lodhur, i ka shpatullat e varura e nga kjo ne kuptojmë që është shumë i lodhur dhe nuk i intereson asgjë në bisedën tonë) duhet të verifikojmë me një pyetje të drejtpërdrejtë: "Më fal, ndjehesh e lodhur? Do ta bëjmë më vonë këtë bisedë?"
Ndodh shpesh të zbulosh se je gabuar (personi nuk është i lodhur, ndoshta mban atë pozicion sepse i dhemb kurrizi). E njëjta punë bëhet dhe me veten tonë. Duhet të mësohemi të vetëkontrollohemi. Nëse në fillim duket e vështirë mund t'i kërkosh ndihmë një shoqeje që të të thotë sjelljen që ke dhe pozicionin që mban ndërsa flet, të na tregojë kush është toni i zërit dhe ritmi i ndjekur nga fjalët e tua.




TË STABILIZOSH NJË LIDHJE
Një komunikim i pëlqyeshëm arrihet duke ndjekur një përshtatje precize e skematike që po ju tregojmë më poshtë.
1. Kalibrimi
Kontakti i parë mes dy personave krijohet duke vështruar me kujdes tjetrin pa tentuar në interpretime personale.
2. Pasqyrimi
Dy persona në harmoni me njëri tjetrin, kur flasin përpiqen të mbajnë pozicionet e njëjta, të njëjtin ton të zërit sikur po shihen në pasqyrë. Nëse pasqyrim i nuk ekziston krijohen kontradikta (p.sh nëse gjatë një bisede njëri është ulur e tjetri në këmbë që e bëjnë komunikimin më të vështirë). Por pasqyrimi duhet të vijë në mënyrë natyrale e të mos shtrëngohet, përndryshe kthehet "papagallisht" e rrezikon të nevrikosësh tjetrin.
3. Kalkimi
Konsiston në kërkimin e mënyrës së bërjes, mendimit, shprehjet verbale, të vëzhguara më parë tek tjetri. P.sh. nëse bashkëfolësi ynë bën gjeste shumë ndërsa flet, mund të jetë një mënyrë për ta bërë të ndjehet rehat, "në familje".




4. Drejtimi
Gjatë një bisede, njëri nga personat "drejton" tjetrin, pra e çon drejt një argumenti, një pikëpamje, një konkluzioni. Kjo nganjëherë është e paparashikueshme nga rolet sociale (në punë mes shefave dhe punëtorëve, në familje mes prindërve dhe fëmijëve). Por drejtimi funksionon nëse brenda komunikimit ka bashkëpunim mes të dy roleve. P.sh tjetri po na drejton duke na bërë pyetje, por ne me përgjigjet tona mund t'i tregojmë pikëpamje që nuk i pret.


USHTRIMET
Gjatë bisedave propozohen shumë ushtrime për të përmirësuar aftësitë e vëzhgimit ose të drejtimit. Për të kuptuar se si dëgjohet, mëso të hysh shpejt në sintoni me një të huaj. Ja disa shembuj që mund të përsëriten edhe me ndihmën e dy miqve.
Vëzhgimi
I kërkohet një personi të vështrojë me kujdes bashkëfolësin. Pastaj nxirret jashtë nga dhoma. Një person i tretë i sugjeron bashkëfolësit të ndryshojë mendimin e tij ose një të veçantë të veshjes. Vështruesi rihyn dhe duhet të dallojë ndryshimet. Ky ushtrim shumë i thjeshtë na lejon të kuptojmë cili është niveli i vëmendjes, nga çfarë tërhiqet dhe çfarë lë pas dore.
Tregimi
Dy persona tregojnë secili nga një histori. Pastaj kërkojnë një të tretë t'i dëgjojë dhe secili përsërit historinë e tjetrit. Ky ushtrim të lejon të verifikosh cilësinë e dëgjimit dhe aftësinë ose jo aftësinë e sjelljes së informacioneve të marra pa ndërhyrë dhe interpretuar.



Shkalla tretë
Një njeri ecën nëpër dhomë. Një tjetër përshkruan në mënyrë objektive atë që sheh. Një i tretë bën pyetje rreth situatës. P.sh personi i dytë thotë: "X po ecën me hap ushtari". I treti pyet: Pse ushtari?" "Sepse përplas këmbët si ushtar". Pyetjet detyrojnë personin që po përshkruan veprimin për të mos dhënë konkluzione të përshpejtuara dhe për të qenë sa më shumë asnjanës dhe i distancuar.
Prova drejtimi
Një njeri tregon se si e ka kaluar ditën. Tjetri bën pyetje për të ditur më shumë, për të kuptuar më mirë ndjenjat e provuara nga ai që tregon. Nëse p.sh personi thotë "ishte një ditë e mrekullueshme", tjetri pyet "çfarë do të thuash me një ditë e mrekullueshme". Në këtë ushtrim mund të vihen në provë aftësitë e pasqyrimit, të ripërsëritjes së atyre që janë thënë, dëgjimit dhe drejtimit.